BOS.al

Përditësuar më

Përmbledhje: Një CV e mirë është e thjeshtë, e qartë dhe tregon çfarë ke arritur, jo vetëm çfarë ke bërë. Më poshtë gjen një model CV shqip falas për ta shkarkuar në Word, një shembull interaktiv dhe një udhëzues hap pas hapi për ta plotësuar saktë.

Shkarko Modelin e CV-së

Model CV BOS.al
Model profesional i optimizuar për sistemet ATS   DOCX Falas
Shkarko CV (Word)

Model profesional i optimizuar për tregun e punës. Shkarkoje në Word (.docx), plotësoje me të dhënat e tua dhe apliko direkt.

Krijo CV-në Tënde, Plotëso dhe Shkarko PDF

Nuk ke nevojë të fillosh nga zero. Më poshtë ke një CV interaktive, kliko çdo fushë për ta ndryshuar me të dhënat e tua, lexo këshillat për çdo seksion, dhe kur të mbarosh shkarko si PDF direkt nga kjo faqe.

Kliko & shkruaj Plotëso me të dhënat e tua, pastaj shkarko PDF
Ana Beka
Specialiste Marketingu Dixhital
anabeka@gmail.com
+355 69 123 4567
Tiranë, Shqipëri
linkedin.com/in/ana-beka
Përmbledhje Profesionale

Specialiste marketingu me 4+ vite eksperiencë në menaxhimin e fushatave dixhitale, SEO dhe rrjete sociale për biznese të vogla dhe të mesme. Kam rritur trafikun organik mesatarisht 120% dhe kam menaxhuar buxhete reklamash deri në €5,000/muaj me ROI pozitiv.

Eksperienca e Punës
Specialiste Marketingu Dixhital
ABC Solutions, Tiranë
  • Rrita trafikun organik të faqes 135% brenda 8 muajve përmes strategjisë SEO
  • Menaxhova fushatat e Google Ads me buxhet €3,000/muaj, duke arritur CPA 40% më të ulët
  • Krijova dhe ekzekutova kalendarin e përmbajtjes për 3 platforma sociale
Asistente Marketingu
DigiMedia Agency, Tiranë
  • Menaxhova llogaritë e rrjeteve sociale për 8 klientë njëkohësisht
  • Shkrova artikuj blog të optimizuar për SEO, duke rritur trafikun organik 80%
Arsimimi
Master në Administrim Biznesi
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë
Bachelor në Marketing
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Ekonomisë
Aftësi
Google Ads
SEO & Google Analytics
Meta Ads (Facebook & Instagram)
WordPress & Elementor
Canva & Figma
Email Marketing (Mailchimp)
Gjuhët
Shqip
Gjuhë amtare
Anglisht
Avancuar (C1)
Italisht
Mesatar (B1)

Të dhënat e përdorura janë shembull — zëvendëso me informacionet e tua para se të shkarkosh.

Për shumicën e aplikimeve në Shqipëri, ky format i thjeshtë me një kolonë mjafton. Nëse dëshiron edhe një CV Europass, më poshtë gjen kur ia vlen ta kesh dhe si ta krijosh.

CV Europass në shqip: kur ia vlen ta kesh

Punëdhënësit në Shqipëri zakonisht nuk e kërkojnë CV-në Europass. Nëse e ke, është një plus, por nuk të garanton punën. Për aplikimet e zakonshme mjafton modeli më lart. Mbaj gati edhe një CV Europass nëse e kërkon shpallja e punës ose nëse aplikon për punë, studime apo trajnime në Bashkimin Evropian.

Për ta krijuar, përdor mjetin zyrtar të Europass-it. Fillimisht krijon një profil, pastaj plotëson CV-në dhe e shkarkon.

Si të bësh një CV nga telefoni

Nuk të duhet kompjuter për të bërë një CV. Mjeti më lart funksionon direkt në telefon: plotëso fushat, shto eksperiencën dhe aftësitë, dhe shkarko CV-në në PDF gati për ta dërguar.

Hapat janë të thjeshtë:

  • Hap këtë faqe nga telefoni dhe shko te forma e krijimit të CV-së.
  • Plotëso të dhënat personale, eksperiencën dhe aftësitë.
  • Shkarko dokumentin në PDF dhe dërgoje nga email-i i telefonit.

Kështu bën një CV profesionale pa aplikacione shtesë dhe pa kompjuter.

Çfarë është CV-ja?

CV-ja (Curriculum Vitae) është dokumenti që ia dërgon punëdhënësit kur aplikon për punë. Në të përshkruan kush je, çfarë ke studiuar, ku ke punuar dhe çfarë aftësish ke. Një CV e mirë është e shkurtër, e qartë dhe tregon rezultate konkrete, jo vetëm detyrat që ke pasur në punët e mëparshme.

Mos e ngatërro me letrën e motivimit, CV-ja tregon faktet, ndërsa letra e motivimit shpjegon pse je i interesuar për atë punë specifike. Zakonisht dërgohen bashkë.

Si duket një CV e mirë për punë

Një CV e mirë për punë është e thjeshtë, me një kolonë dhe e lehtë për t’u lexuar. Në krye vendos të dhënat e kontaktit, pastaj një përmbledhje profesionale prej 2–3 fjalish. Më pas rendit punët nga më e fundit tek më e vjetra, me 2–4 arritje për secilën, dhe në fund shto arsimimin, aftësitë dhe gjuhët. Përshtate CV-në me çdo shpallje pune.

Si të plotësosh CV-në hap pas hapi

1. Të dhënat personale

Fillo me informacionin bazë që punëdhënësi ka nevojë për të të kontaktuar:

  • Emri dhe mbiemri: si titull i CV-së, jo “Curriculum Vitae”
  • Email: profesional, jo pseudonimi i vjetër. Nëse nuk ke një email të mirë, mund të hapësh një të ri në disa minuta
  • Numri i telefonit: sigurohu që është aktiv dhe përgjigjet
  • Qyteti: mjafton qyteti dhe shteti, pa adresë të plotë
  • LinkedIn: vetëm nëse e ke profilin të përditësuar

Mos vendos foto, datëlindje, gjendje civile ose numër karte identiteti. Këto nuk janë të nevojshme dhe në shumë vende konsiderohen joprofesionale.

2. Përmbledhja profesionale

Ky seksion mungon në shumicën e CV-ve shqiptare, por është ndoshta më i rëndësishmi. Në 2–3 fjali tregon kush je profesionalisht, sa vite eksperiencë ke, dhe cili është rezultati më i rëndësishëm.

Shembull i mirë: “Specialiste marketingu me 4+ vite eksperiencë në menaxhimin e fushatave dixhitale. Kam rritur trafikun organik mesatarisht 120% për klientë të ndryshëm dhe kam menaxhuar buxhete reklamash deri në €5,000/muaj.”

Shembull i keq: “Jam një person i motivuar, punëtor, i përkushtuar, që kërkon mundësi të reja për t’u rritur profesionalisht.”

Dallimi? I pari jep fakte. I dyti mund t’i përshtatet kujtdo, dhe kur i përshtatet kujtdo, nuk i thotë asgjë askujt.

3. Eksperienca e punës

Ky është seksioni ku shumica gabon. Rregulli më i rëndësishëm: shkruaj çfarë arrite, jo çfarë bëje.

Punëdhënësi nuk do të dijë që ishe “përgjegjës për rrjetet sociale.” Ai do të dijë që “rrite ndjekësit në Instagram nga 2,000 në 15,000 brenda 6 muajve.”

Për çdo eksperiencë pune shkruaj:

  • Pozita: titulli i saktë
  • Kompania: emri i plotë
  • Periudha: muaj/vit fillimi dhe mbarimi
  • 2 – 4 arritje: me numra sa herë që mundesh

Rendit punët nga më e fundit tek më e vjetra. Nëse ke më shumë se 10 vite eksperiencë, fokusohu tek 2 – 3 punët e fundit, punëdhënësin nuk e intereson shumë çfarë bëje në 2012.

4. Arsimimi

Shkruaj diplomën, universitetin, fakultetin dhe vitet e studimit. Nëse ke mbaruar universitetin, nuk ka nevojë të përfshish gjimnazin ose shkollën 9-vjeçare.

Certifikatat profesionale (Google Ads, HubSpot, Meta Blueprint, etj.) shto si seksion më vete nëse ke, këto janë me vlerë të madhe sidomos në fushën dixhitale.

Notat i përfshin vetëm nëse janë vërtet të larta (8.5+). Përndryshe, lëri jashtë.

5. Aftësi dhe gjuhët

Aftësi: Listo programe, platforma dhe aftësi specifike, jo gjëra të përgjithshme. “Google Analytics, SEO, Canva” thotë diçka. “Kompjuter, komunikim, punë ekipi” nuk thotë asgjë që punëdhënësi nuk e supozon tashmë.

Përshtati listën e aftësive me shpalljen e punës. Nëse kërkojnë dikë me eksperiencë në Excel, sigurohu që Excel-i të jetë i dukshëm në CV-në tënde.

Gjuhët: Përdor nivelet sipas standardit evropian (A1–C2). “Anglisht: mirë” nuk do të thotë asgjë. “Anglisht: B2” ose “Anglisht: C1 (IELTS 7.5)” jep informacion real.

5 gabime që duhet të shmangësh

  • Një CV e gjatë dhe e vështirë për t’u lexuar Punëdhënësi duhet ta gjejë shpejt informacionin kryesor. Përdor një format me një kolonë të vetme, të pastër dhe të lehtë për t’u lexuar. Nëse përdor Europass-in, mbaje të shkurtër dhe hiq çdo gjë që nuk lidhet me punën.
  • Një CV për të gjitha punët Çdo aplikim duhet të ketë një CV të përshtatur. Jo ta rishkruash nga fillimi, por ta modifikosh përmbledhjen profesionale dhe aftësitë sipas asaj çfarë kërkon punëdhënësi.
  • Detyra në vend të arritjeve “Përgjegjës për shitjet” vs. “Rrita shitjet 25% në tremujorin e tretë.” E para përshkruan një rol. E dyta tregon vlerën tënde.
  • Informacione personale të tepërta Foto, datëlindje, gjendje civile, numër karte identiteti, adresë e plotë, asnjëra prej tyre nuk ka vend në një CV moderne. Punëdhënësi ka nevojë për emrin, emailin, telefonin dhe qytetin tënd. Kaq.
  • Dërgimi i CV-së pa letër motivimi Edhe kur nuk kërkohet zyrtarisht, një letër motivimi e shkurtër që shpjegon pse je i interesuar bën diferencë. Tregon se ke investuar kohë, jo vetëm klikuar “Apliko.”

Pikat kryesore

  • Shkarko modelin e CV-së në Word dhe përshtate me të dhënat e tua, mos fillo nga zero.
  • Përmbledhja profesionale (2–3 fjali) është seksioni më i rëndësishëm, shumica e shqiptarëve e kapërcejnë.
  • Shkruaj arritje me numra, jo detyra, punëdhënësi do të dijë çfarë arrite, jo çfarë bëje.
  • Europass-i është një plus, por nuk është kusht dhe nuk të garanton punën. Për shumicën e aplikimeve mjafton një CV e thjeshtë me një kolonë.
  • Përshtate CV-në për çdo pozitë pune, një CV e përgjithshme nuk tërheq vëmendjen e askujt.