Përmbledhje e shkurtër: Një faqe e thjeshtë që e ndërtoni vetë kushton 100–300€ në vit. Një website biznesi i ndërtuar nga një agjensi kushton 500–3,000€, një dyqan online 500–5,000€+, ndërsa një platformë e personalizuar nis nga 10,000€. Hostingu, domaini dhe mirëmbajtja paguhen veçmas çdo vit.
Sa kushton një website në Shqipëri?
Çmimi varet nga tre gjëra: çfarë duhet të bëjë faqja, kush e ndërton dhe sa do të shpenzoni çdo vit për ta mbajtur në punë.
| Lloji i faqes | Çmimi fillestar | Çmimi vjetor |
|---|---|---|
| Blog personal / faqe e thjeshtë | 0–300€ | 100–300€ |
| Website biznesi (5–10 faqe) | 500–3,000€ | 150–600€ |
| Dyqan online i vogël | 500–2,000€ | 200–700€ |
| Dyqan online i mesëm / i madh | 2,000–5,000€+ | 400–1,500€ |
| Faqe e personalizuar | 10,000€+ | Sipas nevojës |
Ofertat nën 500€ që shihni online zakonisht janë një shabllon i gatshëm me një ose pak faqe, pa strukturë SEO dhe pa mbështetje pas lëshimit. Për një prezantim bazë mund të mjaftojnë. Për një biznes që pret klientë nga Google, rrallë mjaftojnë.
Llogarit koston e website-it tënd
Zgjidhni opsionet dhe merrni një vlerësim të menjëhershëm
Faktorët që ndikojnë në çmimin e një faqeje interneti
Nuk ka një tarifë të vetme për të gjithë. Çmimi final ndryshon në bazë të:
Llojit të faqes: një blog personal është shumë më i lirë se një dyqan online me sistem pagese dhe katalog produktesh.
Dizajnit dhe funksionaliteteve: një dizajn i personalizuar dhe funksione si rezervimet online, integrimi me sisteme të jashtme ose versionet në disa gjuhë e rrisin investimin.
Kush e ndërton: nëse e ndërtoni vetë me një ndërtues faqesh, shpenzimi është minimal. Nëse punësoni një agjensi, pagesa përfshin ekspertizën, kohën dhe mbështetjen pas lëshimit.
Hostingut dhe domainit: këto janë tarifa që paguhen çdo vit, jo një herë.
Mirëmbajtjes: përditësimet, siguria dhe ndryshimet e herëpashershme kanë kosto shtesë.
Llojet e faqeve dhe çmimet e tyre
Nëse nuk jeni i sigurt se cili lloj i përshtatet biznesit tuaj, fillimisht shihni llojet kryesore të website-ve dhe si funksionojnë.
1. Blog personal ose faqe informuese e thjeshtë
Nëse ju duhet diçka e thjeshtë për të prezantuar veten, për të shkruar artikuj ose për të ndarë informacion, investimi është minimal.
Me platforma si Wix, Squarespace ose WordPress.com, një blog personal kushton 100–300€ në vit, duke përfshirë hostingun dhe domainin.
Kjo zgjidhje është e mirë nëse nuk keni nevojë për funksione komplekse, jeni gati ta menaxhoni vetë faqen dhe keni buxhet të kufizuar.
2. Website biznesi (5–10 faqe)
Një faqe biznesi profesionale, me seksion shërbimesh, portofol, formular kontakti dhe optimizim SEO bazë, është investimi më i zakonshëm për bizneset shqiptare.
Investimi tipik është 500–3,000€ për ndërtimin fillestar, plus 100–500€ në vit për hostingun dhe mirëmbajtjen.
Diferenca në çmim varet nga cilësia e dizajnit, numri i faqeve, integrimet (p.sh. rezervime ose formularë të avancuar) dhe nga agjensia ose freelancer-i që zgjidhni.
3. Dyqan online (e-commerce)
Një dyqan online kërkon më shumë punë teknike: sistem pagese, menaxhim produktesh, logjikë porosish dhe siguri të shtuar.
- Dyqan i vogël (disa produkte, WooCommerce bazë): 500–2,000€
- Dyqan i mesëm (katalog i gjerë, integrime me kurrier, fatura automatike): 2,000–5,000€
- Dyqan i madh (platforma të personalizuara, volum i lartë porosish): 5,000€+
4. Faqe e personalizuar (custom development)
Kur keni nevoja që platformat standarde nuk i mbulojnë, si aplikacione web, portale me login ose sisteme të brendshme, çmimi rritet ndjeshëm. Nis nga 10,000€ dhe nuk ka tavan, pasi varet nga kompleksiteti dhe koha e zhvillimit.
Shpenzimet e fshehura që shumë biznese harrojnë
Shumë biznese fokusohen vetëm te investimi fillestar dhe harrojnë tarifat që vijnë çdo vit:
Domain: emri i faqes suaj (p.sh. biznesi-juaj.al ose .com) kushton 10–50€ në vit.
Hosting: serveri ku qëndron faqja juaj. Shared hosting nis nga 50–150€ në vit, ndërsa një VPS, më i shpejtë dhe më i qëndrueshëm, arrin 100–500€ në vit. Nëse po krahasoni oferta, shihni si ta zgjidhni hostingun e duhur.
Certifikata SSL: shumica e ofertave e përfshijnë, por kontrollojeni gjithmonë. Pa SSL, shfletuesi e shënon faqen si të pasigurt dhe vizitorët largohen.
Mirëmbajtja vjetore: përditësime, kopje rezervë dhe ndryshime të vogla kushtojnë 100–1,000€ në vit, në varësi të madhësisë së faqes.
Përmbajtja: tekstet, fotot dhe videot profesionale janë shpenzime shtesë nëse nuk i krijoni vetë.
- Tekst profesional: 50–200€ për faqe
- Sesion fotografik: 200–1,000€
- Video profesionale: 500–5,000€
Pse faqja më e lirë shpesh del më e shtrenjtë
Shumica e klientëve që vijnë te BOS kanë provuar fillimisht ofertën më të lirë. Problemet që gjejmë më shpesh janë të njëjtat:
- Domaini është regjistruar në emër të freelancer-it, jo të biznesit, dhe kur bashkëpunimi mbaron, biznesi nuk e kontrollon dot adresën e vet.
- Klienti nuk ka akses te paneli i administrimit dhe çdo ndryshim i vogël varet nga dikush tjetër.
- Faqja nuk ka kopje rezervë dhe nuk përditësohet, ndaj një sulm ose një përditësim i dështuar e nxjerr jashtë funksionit.
- Faqja ngarkohet ngadalë në celular, sepse është në hostingun më të lirë dhe imazhet nuk janë optimizuar.
- Nuk ka strukturë SEO: tituj të gabuar, pa meta përshkrime, të gjitha shërbimet në një faqe të vetme.
Rregullimi i këtyre gabimeve shpesh kushton më shumë sesa do të kishte kushtuar një faqe e ndërtuar mirë që në fillim.
Si të zgjidhni çfarë ju duhet
Mos filloni nga çmimi, filloni nga qëllimi. Pyesni veten:
Çfarë duhet të bëjë faqja? Të prezantojë biznesin, të shesë produkte, të mbledhë rezervime apo të informojë?
Kush do ta menaxhojë? Nëse nuk keni njeri teknik në ekip, zgjidhni një platformë me panel të lehtë administrimi, si WordPress me Elementor.
Sa trafik prisni? Nëse synoni trafik organik ose fushata reklamimi, hostingu më i lirë do t’ju kufizojë.
A ju duhet SEO? Nëse doni që klientët t’ju gjejnë në Google, optimizimi SEO duhet planifikuar gjatë ndërtimit. Ta shtosh më vonë kushton më shumë.
A ia vlen të investoni në një faqe profesionale?
Po, nëse e shihni si mjet pune. Një website profesional rrit besueshmërinë, sepse shumica e klientëve ju kërkojnë në Google para se t’ju kontaktojnë. Punon 24/7 pa kosto shtesë, sjell trafik organik me kalimin e kohës nëse është optimizuar dhe mund të zëvendësojë punë manuale si rezervimet ose pyetjet e përsëritura.
Nëse faqja nuk sjell klientë, zakonisht problemi nuk është shuma e investuar, por mungesa e strategjisë.
Pyetjet që duhet t’i bëni agjensisë ose freelancer-it
Para se të nënshkruani kontratë, pyesni:
- Në emrin e kujt regjistrohet domaini?
- A përfshihen hostingu dhe domaini në çmim?
- A do të kem akses të plotë te paneli i administrimit?
- A ofrohet trajnim për menaxhimin e përmbajtjes?
- Si funksionon mirëmbajtja pas lëshimit dhe a ka tarifa shtesë?
- A përfshihet optimizimi SEO bazë?
Pikat kryesore
- Çmimet nisin nga 100€ në vit për zgjidhje bazë dhe arrijnë dhjetëra mijëra euro për platforma komplekse.
- Bizneset shqiptare zakonisht investojnë 500–3,000€ për një faqe profesionale me 5–10 faqe.
- Hostingu, domaini dhe mirëmbajtja paguhen çdo vit, jo një herë.
- Oferta më e lirë shpesh kërkon rregullime që e bëjnë më të shtrenjtë në fund.
- Filloni nga qëllimi i faqes, pastaj caktoni buxhetin.
Nëse doni të dini sa kushton një website për biznesin tuaj, na tregoni çfarë duhet të bëjë dhe ne ju japim një vlerësim për ndërtimin e faqes së internetit. Na kontaktoni për një ofertë falas.





